Ballina Ekonomi

Normat e interesit të kredive po rriten edhe për euron

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Normat e interesit të kredive po rriten edhe për monedhën europiane.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në euro në muajin shtator arriti në 4.61%.

Rritja e normave të interesit në muajin shtator ishte veçanërisht e theksuar në kreditë me afat të shkurtër maturimi.

Sipas BSH-së, mes muajve korrik dhe tetor, Banka Qendrore Europiane e ka rritur tri herë normën bazë të interesit nga niveli 0 në 2%. Kjo politikë tashmë po përcillet edhe në kostot e huamarrjes së re në monedhën europiane edhe për publikun shqiptar.

Për sa u takon huamarrësve ekzistues, përcjellja e efekteve ndodh automatikisht nëpërmjet treguesit benchmark të kuotimit të interesave të kredive, Euriborit. Euribori 12-mujor tashmë ka arritur në nivelin 2.85%, ndërsa një vit më parë ishte në vlera negative.

Kjo rritje përcillet në kreditë me interes të ndryshueshëm në rivlerësimin periodik të normës së interesit dhe po sjell rritje të shpenzimeve për interesa.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator kredia në valutë të huaj ishte e barasvlefshme me 350.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 17%. Kjo shumë përbën afërsisht 49.4% të portofolit total të kredisë për ekonominë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerisha në Obot të Shkodrës: Situata për shkak të keqmenaxhimit të kaskadës
Artikulli tjetërSUEDI – Vendi skandinav paralizohet pas dëborës së parë të vitit