Ballina Flash

Dita Botërore e Prematuritetit, Veliaj: Mirënjohje për punën e çdo mjeku

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Rreth 15 milionë fëmijë lindin prematurë në botë çdo vit, me një raport 1 në 10 të të gjitha lindjeve. Në Ditën Botërore të Prematuritetit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në një konferencë të zhvilluar nga Shërbimi i Neonatologjisë nga të dy maternitetet publike të Tiranës, u shpreh mirënjohës për të gjitha bluzat e bardha që e kanë kthyer në mision të tyre fisnik shërbimin ndaj fëmijëve të lindur para kohe, të cilët kanë dhe një risk më të lartë në lidhje me vdekshmërinë foshnjore dhe sëmundshmërinë.

“Kam një falënderim për mjeket e të dy materniteteve publike. E vlerësoj shumë përkushtimin e tyre, se kur themi që Tirana rritet me 30 mijë në vit, 10 mijë janë bebe që lindin në dy maternitetet më të rëndësishme të qytetit. Unë besoj se në disa gjëra që vërtet janë mirë, – sot kemi institucione, kemi mjekë që janë sprovuar në të gjitha vendet e botës, që kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme, që kanë mbledhur këtu disa nga samitet më të rëndësishme të shkencës, që kanë pasur dhe kanë menaxhuar raste jashtëzakonisht kritike me sukses, – ta themi fjalën e mirë! Ndonjëherë, bëhemi të mirë me njëri-tjetrin vetëm në ditët e fatkeqësisë, pra u kujtuam që Shqipëria ka doktorë vetëm kur ra Covid-19, ndërkohë këta doktorë kanë qenë këtu,” tha ndër të tjera Veliaj.

Dita ndërkombëtare e prematuritetit festohet në 17 nëntor dhe i kushtohet
ndërgjegjësimit për lindjet prematurë dhe ndikimit që ato kanë në familje dhe shoqëri. Kjo ditë është një rast shumë i mirë për të inkurajuar përparimin në trajtimin dhe kujdesin mbi këta fëmijë me qëllimin që t’iu jepen mundësi të barabarta në mbijetesë dhe cilësi jete si fëmijët e tjerë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkëpunimi dypalësh, Çela pret homologun nga Kosova
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky: Ekspertët ukrainas do të hetojnë sulmin raketor në kufirin polak