TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Kuvendi po vijon prej më shumë se 13 orësh debatin në seancë plenare.
Palët u përfshinë në debat me akuza të ndërsjella rreth projektit për ndërtimin e një porti turistik dhe ballinës ujore në Portin e Durrësit.
Akuzave të opozitës iu është përgjigjur përmes rrjeteve sociale edhe kryeministri Edi Rama i cili ka informuar se kompania “Eagles Hills” e cila do të investojë 2.1 miliardë euro për projektin e portit të ri të Durrësit, është në rrugën e duhur për të fituar dhe projektin për ndërtimin e “Manhatanit të Zagrebit”, në Kroaci.
Palët po ashtu debatuan sa i përket procesit të integrimit gjatë mocionit me debat të planifikuar në rendin e ditës.
Kredia e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, ishte një tjetër pikë e rendit të ditës që përplasi opozitën me mazhorancën me argumentin se ka 2-fishuar koston ndërsa janë zvarritur punimet.
Edhe ndryshimet në ligjin “Për vetingun në Polici” ndanë palët. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, tha se ndryshimet synojnë përshpejtimin e procesit, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se ky proces u zgjat dhe i krijoi kosto të lartë buxhetit.
Ndërkohë në rendin e ditës janë edhe çështje të tjera si raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandateve dhe Imunitetit me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka; projektvendi “Për një ndryshim në vendimin Nr. 36/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe nivelit të pagave për akademinë e shkencave në Republikën e Shqipërisë”; projektvendi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)”, si dhe projektvendim “Për një ndryshim në Vendimin nr. 69/2021”Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit””, i ndryshuar. /j.p/





















