TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Gjatë muajit tetor, Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Këlnit dhe Universitetin e Nju-Jorkut në Buffalo (SHBA), ndërmorën kërkime arkeologjike në kuadër të projektit “Kontekstualizimi i Neolitit në fushën e Korçës”, nën drejtimin e dr. Edlira Andonit, dr. Jana Anvarit dhe dr. Patrick Willet.
Nëpërmjet vëzhgimeve sipërfaqësore dhe studimit gjeofizik, ky projekt synon të përcaktojë madhësinë dhe strukturat e vendbanimeve neolitike në fushën e Korçës, si dhe raportin që kanë këto vendbanime me peizazhin.
Vëzhgimi sipërfaqësor i hapësirës së vendbanimeve neolitike i parapriu studimit gjeofizik me qëllim përcaktimin e vendndodhjeve të vendbanimeve neolitike.
Nëpërmjet studimit gjeomagnetik synohet të përcaktohen veçoritë kryesore arkitekturore të vendbanimeve nën sipërfaqe, shtrirjen e tyre, evidentimin e kanaleve rrethuese, gropat e mëdha dhe banesat e djegura, pa kryer gërmime arkeologjike.
Pas përpunimit të të dhënave të studimit gjeofizik, rezultatet do të prezantohen në konferencën vjetore të Institutit të Arkeologjisë.
Materiali arkeologjik i grumbulluar dhe përpunimi i tij paraprak kanë ofruar informacion jo vetëm për praninë e vendbanimeve neolitike, por edhe të periudhave të tjera prehistorike dhe historike.
Pjesë e rëndësishme e ekipit ishin studentë të departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës dhe studentë të departamentit të Arkeologjisë të Universitetit të Këlnit.
/r.e/





























