TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nxiti sot fermerët që në bashkëpunim me bashkitë të hartojnë projekte për shtimin e kapaciteteve grumbulluese, përpunuese dje magazinuese me kushte frigoriferike të prodhimeve bujqësore.
Në një bashkëbisedim me fermerët në Mollas, Ersekë, Rama u ndal tek investimet e qeverisë dhe vëmendja e rritur ndaj fermerëve përmes skemave mbështetëse, të krijuara enkas për reduktimin e kostove të prodhimit, rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë rurale.
Kryeministri u shpreh se bashkia duhet të hyjë në një fazë të re të luajtjes së rolit të ortakut të drejtpërdrejtë të fermerëve si aksionarë, që është edhe garant dhe stimulon bashkimin e fermerëve në ndërmarrje.
“Duam që bashkitë të angazhohen direkt në bërjen e projekteve dhe ministria e Bujqësisë të ndihmojë direkt përmes fondeve europiane apo garancisë sovrane”, tha ai.
Kryeministri u shpreh i inkurajuar nga ecuria e rritjes së bujqësisë dhe eksporteve.
“Fakti që e kemi nisur me 120 milionë euro eksporte dhe këtë vit synojmë të arrijmë në gjysmë miliardi euro eksporte flet vetë për një realitet që me gjithë vështirësitë e veta dhe prapambetjen e trashëguar prej shumë vitesh, është një realitet që ndryshon për mirë. Fakti që këtu janë shitur 80% e prodhimit flet shumë për të ardhurat, por edhe për atë pjesë gjithmonë e më të vogël që nuk arrin dot të dalë në treg, sepse nuk arrin t’i përshtatet logjikës së tregut”, tha Rama.
Sipas tij, nëse realiteti nuk do të ishte ky që është, Shqipëria nuk do punonte dyfishin e tokës bujqësore.
“Nuk do të kishte gjithmonë e më shumë nevojë për shumë pika grumbullimi në rast se do të kishim një sektor në braktisje. Nuk kemi një sektor në braktisje, por kemi një sektor në rimëkëmbje të vazhdueshme hap pas hapi”, tha ai.
/r.e/






















