TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se zona e Ersekës është një nga qendrat me potencial të lartë në prodhimin bujqësor, ku mbi 30% e frutave të gjithë Shqipërisë prodhohen këtu.
I pranishëm në takimin që zhvilloi sot Kryeministri Edi Rama në Mollas, Ersekë, me fermerët, blegtorët e njerëzit e punës, Peleshi vuri në dukje se, rruga e re ka përmirësuar qarkullimin dhe lehtësuar fermerët të dalin më shpejt në treg.
Sipas tij edhe investimet në infrastrukturën rrugore po e sjellin qarkun e Korçës më afër kryeqytetit, duke sjellë ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale, edhe në tërësi.
“Investimet që kemi bërë dhe vëmendjen e rritur ndaj tyre përmes skemave mbështetëse, të dedikuara enkas për reduktimin e kostove të prodhimit, ka rritur punësimin dhe zhvilluar ekonominë rurale”, u shpreh Peleshi.
Duke iu referuar shifrave, Peleshi tha se, “kjo zonë me 200 ha pemëtore ka 80 ha mollë, ku në Mollas prodhohen mbi 3 mijë tonë mollë, ndërsa 30% e frutave të të gjithë Shqipërisë prodhohen këtu”.
Në qarkun e Korçës prodhohen 100 mijë tonë mollë dhe rreth 80% e prodhimit të mollëve sot fermerët e kanë shitur me çmim relativisht të mirë, duke pasur parasysh kushtet e vështira që paraqet situata sot nga lufta në Ukrainë.
Peleshi ndau lajmin e mirë që bashkia e Kolonjës dhe me iniciativën e kryeministrit dhe mbështetjen e MBZHR, po përgatit projektin e parë të ndërtimit të pikës së re të grumbullimit me frigorifer, për prodhimet bujqësore.
Ministri u shpreh optimist që pemëtaria në këtë zonë do të zhvillohet shumë, pasi sipas tij, në Kolonjë është dyfishuar numri i fermerëve përfituese nga skemat e mbështetjes.
Ai vuri në dukje se të rinjtë po i rikthehen Kolonjës edhe me investime në agroturizëm dhe blegtori falë nxitjes nga skemat e mbështetjes.
/r.e/























