UASHINGTON, 28 tetor /ATSH-ANSA/ – Disa orë para afatit të vendosur nga gjykata, Elon Musk ka përfunduar procesin e blerjes së Twitter-it për 44 miliardë dollarë, dhe menjëherë ka vendosur të bëjë një “pastrim gjeneral” duke shkarkuar katër menaxherë të lartë, përfshirë CEO-n, Parag Agrawal.
“Viktimat” e tjera janë kryefinancieri, Ned Segal, shefja e Çështjeve Ligjore, Vijaya Gadde, dhe këshilltari i përgjithshëm, Sean Edgett.
Dje, Musk deklaroi se donte të blinte Twitter-in, i nxitur nga dashuria dhe dëshira për të ndihmuar njerëzimin.
“Blerja e Twitter-it është e rëndësishme për të ardhmen e qytetërimit ku, në një hapësirë digjitale, do të diskutohen një numër i konsiderueshëm idesh”, tha ai duke paralajmëruar rrezikun aktual që paraqesin mediet sociale.
“Në ndjekjen e pamëshirshme të klikimeve, një pjesë e madhe e medieve tradicionale kanë ushqyer dhe janë kujdesur që ato të jenë në shifra ekstreme të polarizuara, pasi ato besojnë se kjo sjell para, por duke e bërë këtë, mundësia për dialog humbet. Kjo është arsyeja pse bleva Twitter-in”, theksoi miliarderi.
“Unë gjithashtu besoj se reklamimi, kur bëhet siç duhet, mund t’ju kënaqë, argëtojë dhe informojë, mund t’ju tregojë një shërbim ose produkt ose trajtim mjekësor që nuk e keni ditur kurrë se ekzistonte, por është i duhuri për ju. Për të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me ne, ju falënderoj. Le të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme së bashku”, tha Musk.












