Ballina Aktualitet

Metani: ILD, prioritet ankesave të trashëguara në vite

TIRANË, 28 tetor /ATSH-I.Vata/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në një  intervistë televizive foli për bilancin e ILD-së, në raport me pritshmëritë e njohura të publikut edhe për institucionin që drejton, njëlloj si për institucionet e tjera të dala nga reforma në drejtësi.

Në lidhje me procesin e punës së ILD-së, me afatet ligjore për trajtimin e një ankese, 3, 6 e 9 muaj, tek kapacitetet në burime njerëzore në raport me numrin prej afro 5 mijë ankesash të depozituara, Metani tha se Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka ndjeshmërinë ndaj pakënaqësisë e padurimit që kanë qytetarët për trajtimin me shpejtësi të ankesave të tyre. Për këtë është miratuar një metodologji pune, e publikuar në faqen zyrtare të internetit, sipas të cilës, ankesat e hershme, ato që ILD i ka trashëguar nga ish KLD e KLGJ, të trajtohen me prioritet, në mënyrë që të shmanget me sa është e mundur tejkalimi i afateve të shqyrtimit të tyre, pasi ka qytetarë që presin prej vitesh një përgjigje për ankesat që kanë bërë në institucione të tjera.

“Ka pakënaqësi me thënë të drejtën, sepse këtë e shikojmë edhe tek ankesat e përsëritura që vijnë. Mundohemi të adresojmë në kohë çdo shqetësim. Por prioritet kanë pasur ankesat e vjetra, sepse duhet t’u kthejmë një përgjigje qytetarëve, që me kohë i ishin drejtuar zyrave të shtetit, dhe të mos harrojmë më pas edhe ankesat që kanë paraqitur qytetarët së fundmi”, tha Metani.

I pyetur nëse mendon se 6 vite pas miratimit të reformës në drejtësi duhet të ketë një proces monitorues për të matur rezultatet apo dështimet e reformës në drejtësi, Metani tha se tashmë ky është një proces i nevojshëm, edhe pse delikat, dhe ky proces mund të bëhet nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Vlerësimi i institucioneve të drejtësisë është delikat, jo thjesht për ata që janë sot në institucionet e drejtësisë, qoftë edhe personalisht. Është e rëndësishme që puna e gjykatave dhe prokurorisë, puna e institucioneve të drejtësisë, të matet me tregues analitikë dhe shkencorë. Nuk matet dot me perceptime në këndvështrimin tim. Pra nuk mund të kritikohet pa indikatorë dhe pa tregues puna e institucioneve të drejtësisë, ashtu siç nuk mund të lavdërohet pa indikatorë. Për mua e rëndësishme është që puna të vlerësohet me standarde, dhe nëse janë vendosur standarde nga këto institucione, nga ILD, KLGJ, KLP nga KPA, për procedimet disiplinore që kemi, e vlerësojmë dhe pastaj shohim çfarë duhet ndryshuar. Por ndryshimi duhet të vijë në bazë të një studimi dhe analize profesionale”, tha Metani.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Industria e makinave kritikon vendimin e BE-së për ndalimin e shitjeve te automjeteve me motorë me djegie
Artikulli tjetërRama: Nxitje grumbullimit të bimëve mjekësore, ekonomi zinxhir punësimi