TIRANË, 24 tetor /ATSH/ – Jo, kjo foto nuk portretizon asnjë nga krijesat e reja të “House of the Dragon” apo një film horror.
”Kjo është një foto e bërë nga afër e një milingone”, shkruan CNN.
Fotoja mahnitëse është një nga 57 imazhet në Konkursin e Fotomikrografisë të kompanisë së njohur të aparateve fotografike japoneze, Nikon.
Portreti ”i tmerrshëm” është bërë nga lituanezi Eugenijus Kavaliauskas.
Ky është viti i 48-të i konkursit, i cili kërkon të “njohë përsosmërinë në fotografinë përmes mikroskopit”.
”Konkursi i këtij viti mori pothuajse 1 300 aplikime nga 72 vende”, sipas Nikon.
Kavaliauskas ka punuar më parë si fotograf zogjsh përpara se t’i drejtohej insekteve, sipas faqes së tij të internetit.
Ai përdori dritën e reflektuar për të kapur nga afër milingonën tronditëse, me sy të kuq të errët dhe atë që duket të jetë një shprehje e zemëruar.
Edhe pse imazhi u bë viral, Kavaliauskas nuk mori çmimin kryesor në konkurs.
Ky nder u shkoi fotografëve suedezë Grigorii Timin dhe Michel Milinkovitch, të cilët krijuan një imazh të bukur fluoreshent të putrës së përparme të embrionit të një zhapili gjigant të Madagaskarit./ a.jor.























