TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Përgjatë javës që sapo filloi, Shqipëria do të mikpresë Kombet e Bashkuara. Është një javë me fokusin tek paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi duke mbrojtur mjedisin.
Java e Kombeve të Bashkuara, vjen në kuadër të javëve kulturore ndërkombëtare të cilat po zhvillohen prej disa muajsh dhe kanë gjallëruar jetën artistiko-kulturore, jo vetëm në kryeqytet por edhe qytete të tjera të vendit.
Java e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (24-30 tetor) nisi sot me ekspozitën “We the Peoples”. Ky është një projekt i fotografit David Cuka, i cili ka një koleksion me 999 portrete të një shumëllojshmërie njerëzish nga e gjithë Shqipëria, njerëz nga të gjitha moshat, origjina, besimi fetar, gjinia apo orientimi seksual.
Titulli i ekspozitës frymëzohet nga preambula e Kartës së Kombeve të Bashkuara: dokumenti themelues i OKB-së, i cili hyri në fuqi 77 vjet më parë më 24 tetor 1945 dhe nis me frazën “We the Peoples” (Ne popujt).
Pas çeljes sot, në sheshin Skënderbej, ekspozita do të lëvizë në sheshin “Italia”, Tiranë nga e marta 25 tetor deri të dielën më 29 tetor.
Po në sheshin Skënderbej, pasdite do të vendoset një tjetër ekspozitë interesante e fotografes Jutta Benzenberg e cila së bashku me UN Women në Shqipëri, sjell në vëmendje realitetin e grave të reja që jetojnë në pjesë të largëta të vendit ku stereotipet gjinore dhe normat patriarkale janë ende mbizotëruese. Ekspozita e Jutta Benzenberg do të ketë 25 fotografi me të cilat u jep zë ëndrrave të grave nga e gjithë Shqipëria.
Aktivitetet e javës kulturore të Kombeve të Bashkuara do të zhvillohen mes Tiranës, Pukës, Përmetit e Durrësit.
/j.p/r.e/




















