Ballina Flash

Pjesëmarrësit e programit LEAD Albania vizitë në ILD

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani mikpriti sot në ambientet e ILD-së klasën e vitit 2022 të programit LEAD Albania, të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Pjesëmarrësit e programit një vjeçar LEAD Albania, janë profesionistë të rinj e të talentuar, që kanë mundësinë të kenë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes, përmes angazhimit për një vit, si pjesë e kabineteve të institucioneve më të larta shtetërore në vend, që nga Presidenti i Republikës e deri te bashkia e Tiranës.

Për herë të parë këtë vit, pjesëmarrës të LEAD Albania janë punësuar edhe në institucionet e reja të drejtësisë, si Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që mikpriti Edlira Osmani.

Takimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, u zhvillua në formë bashkëbisedimi mbi rolin dhe funksionet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Metani vlerësoi impenjimin e këtyre të rinjve të shkolluar jashtë për të kontribuar për vendin në profesionet e tyre.

Në përgjigje të interesit të pjesëmarrësve edhe për perceptimin e publikut ndaj institucionit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani nënvizoi se për ILD-në e rëndësishme është që krahas besimit të publikut tek drejtësia, të forcojë edhe besimin e magjistratëve tek ILD, në mënyrë që ata të marrin vendime të drejta e të pandikuara në punën e tyre.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBiblioteka Kombëtare ekspozitë me krijimtarinë e poetit Ali Podrimja
Artikulli tjetërFOKUS – BE e gatshme të bllokojë fondet e kohezionit për Poloninë