Ballina Bota

AUSTRI – Van der Bellen rizgjidhet president

VJENË, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen ka fituar një mandat të dytë në detyrë me një shumicë votash absolute prej 54,6% në zgjedhjet presidenciale të vendit të dielën, sipas rezultateve paraprake zyrtare të publikuara nga Ministria e Brendshme.

Kjo fitore i jep atij mundësinë e një mandati të ri gjashtëvjeçar pa pasur nevojën të përballet me një balotazh.

“Walter Rosenkranz, i Partisë nacionaliste të djathtë të Lirisë së Austrisë (FPO) doli i dyti me 19,1% të votave”, sipas ministrisë.

Mbi 800 000 fletëvotime postare nuk janë marrë ende parasysh, por sondazhet e transmetuesit publik (ORF) kanë projektuar se kjo nuk do të sillte një ndryshim vendimtar, duke parashikuar për Van der Bellen një shumicë votash prej rreth 56%.

“Rosenkranz pritet të marrë rreth 18% të votave”, sipas anketuesve. Fletëvotimet postare pritet të numërohen sot.

Presidenti aktual u konsiderua si favoriti i plotë përpara votimit, edhe për shkak se shumë nga rivalët e tij, mes tyre një analist, një prodhues këpucësh, një mjek, një kolumnist dhe një përfaqësues i një partie kritike ndaj vaksinimit, u konsideruan të huaj politikë që nga fillimi.

Ndërsa po hidhte votën e tij dje, në Vjenë Van Der Bellen tha se shpresonte votimet të përfundonin mirë, dhe se një balotazh do të nënkuptonte vetëm pritjen e katër javëve të tjera për rezultatin e dëshiruar.

Van der Bellen, një ish-lider i Partisë së Gjelbër, mbështetet nga të gjitha partitë parlamentare të Austrisë, përveç (FPO). Muajin e kaluar, sondazhet treguan se Van der Bellen kishte mbështetjen e pothuajse dy të tretave të elektoratit.

Rreth 6.4 milionë qytetarë kishin të drejtë të votonin dhe pjesëmarrja ishte afërsisht 66%.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Hapje e Akademisë së Shkencave, e munguar për shumë vite
Artikulli tjetërKodheli në Prishtinë: Të vëmendshëm ndaj ndërhyrjeve ruse në rajon