TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Inspektorë të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër kanë inspektuar kantierin e Xhamisë së Plumbit, ku në zbatim të planit të ndërhyrjeve, po vijojnë punimet në pjesën e interierit të objektit.
Gjatë fazës së parë të zbatimit të projektit, mbikqyrësit e punimeve restauruese nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe DRTK Shkodër, si dhe shoqëritë zbatuese shqiptare e turke, po punojnë së bashku për të garantuar që kjo pasuri kulturore të restaurohet duke marrë parasysh teknologjinë e konservimit të vlerave të saj, konform normave teknike dhe kritereve të restaurimit.
E ndërtuar në 1773, sipas modelit të arkitekt Sinanit, Xhamia e Plumbit në Shkodër është një nga më të veçantat në Shqipëri.
Projekti i rehabilitimit, po vihet në jetë falë marrëveshjes së bashkëpunimit me qeverinë turke.
Ndërhyrja kryesore lidhet me zgjidhjen e problemit të përmbytjeve, krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese dhe restaurimin e ndërtesës.
Jo pa rëndësi është edhe sistemimi i peizazhit të ambientit përreth, për ta kthyer në një park të denjë për besimtarët e turistët.
Teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura në monumentin e kulturës dhe të gjitha detajet arkitektonike origjinale nuk do të cenohen.
/r.e/




























