TIRANË, 7 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi zhvilloi sot një takim me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.
Në një prononcim për mediet pas takimit që u zhvillua në selinë e kryesisë së Kuvendit, ku ishte e pranishme edhe nënkryetarja e këtij komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti, Shalsi informoi se temë e bisedës ishin prioritetet e punës së komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
“Prioritet numër 1 nga java në vijim do të jetë diskutimi intensiv mbi buxhetin 2023. Temë e bisedës ishte puna shumë rëndësishme që komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave bën në mbikëqyrjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura. Komisioni ynë mbikëqyr, monitoron Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetin e Konkurrencës”, tha ai.
Po ashtu, Shalsi theksoi se në takim u nënvizua roli i pazëvendësueshëm i parlamentit në mbikëqyrjen e punëve jo thjesht të qeverisë, por të institucioneve në Shqipëri.
“Natyrisht që tema e diskutimit ishte edhe mbështetja financiare për reformat që duhet të vijojmë, mbi të gjitha reformës në drejtësi. Nuk ka asnjë dyshim që parlamenti, mazhoranca, si iniciuesja e reformës në drejtësi, është shumë e interesuar për të parë një sistem gjyqësor akoma dhe më efikas. Ishte një vizitë që rroku disa çështje apo disa tema ku nuk mungoi as diskutimi mbi artin, shahun apo muzikën”, shtoi ai.
/r.e/























