TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Partia e Lirisë mblodhi sot Komitetin Organizator. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij u shpreh se, Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë do të mblidhet më 29 tetor.
Meta kërkoi që të reflektohen ndryshimet në statut dhe program si dhe të zgjidhen forumet e Partisë së Lirisë.
Meta foli dhe për vendimin e gjykatës për ndryshimin e masës në “arrest shtëpie” për ish-deputetin Alqi Bllako.
“Sa familjarë janë burgosur për një dritare, ata nuk kanë fëmijë për të rritur, ndoshta nuk kanë as mundësi të paguajnë një dado. Vendimi i djeshëm tregoi që koka e kësaj afere është Edi Rama, nuk janë as Alqi as Lefteri. Kjo është drejtësi më regji. Sepse drejtësia nuk veproi kurrë atëherë kur duhet të vepronte. Fakte flagrante, jo fjalë. Shkelje të hapura nga Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe ministra. Lirimi i djeshëm i Alqi Bllakos është një goditje fatale për sistemin e drejtësisë, është një humbje morale, e gjitha me urdhër të Edi Ramës”, tha Meta.
“Por dhe korrupsioni në energji është i llahtarshëm. Investimet nuk kanë sjellë uljen e humbjeve. Janë mbi 2 miliardë euro korrupsion në energji. Debitori më i madh janë institucionet shtetërore, sepse lekët i përdorin për ahengje”, u shpreh Meta.
Meta foli edhe për protestën e pedagogëve, teksa shtoi se, “ne mbështesim plotësisht kërkesat e pedagogëve, sepse janë mëse legjitime. Po kërkojnë që në 2 vjet të arrijnë atë standard që kanë kolegët e tyre në Kosovë. A ka gjë më të arsyeshme? Para ka. Çfarë sakrifice duhet të bëjë qeveria? Të vjedhë më pak. Epo këtë sakrificë nuk do ta bëjë Edi Rama, ai kërkon të vjedhë më shumë”.
Meta më tej foli për sigurinë në vend dhe sulmin kibernetik duke u shprehur se Rama ishte në dijeni.
“Ai ka qenë në dijeni dhe ka mashtruar publikisht dhe në momentin që e dinte që hakërrimi kishte ndodhur, u kërkon bankave që ato të dhënat e tyre t’i fusin tek sistemi tij i hakeruar. Po për fat të mirë bankat nuk pranuan. Situata është mëse kritike në të gjitha drejtimet”, tha Meta.
Sa i përket opozitës, Meta u shpreh se duhet të jetë sa më e bashkuar dhe sa më e sinkronizuar.
“Investimi më i madh i Edi Ramës është korruptimi dhe përçarja e opozitës. Unë jam tërësisht optimist se situata do të vijë dhe do të përmirësohet falë aksionit tonë të përbashkët dhe në këtë drejtim përveç reagimit, protestave dhe mbështetjes së tyre. Të mos harrojmë në pak muaj do të kemi zgjedhje vendore. Ky është një moment pozitiv pasi do të vendoset pluralizmi politik. Sot kontrollohet çdo gjë nga një parti e vetme dhe qytetarët janë lënë në mëshirën e kryetarëve monistë. Partia e Lirisë ka detyrën për të kontribuar në fitoren e opozitës por dhe për t’i kthyer këshillat bashkiakë në parlamente të qyteteve”, tha ai.
/r.e/























