TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Falë skemës mbështetëse të qeverisë për kultivimin e grurit, sipërfaqja e kultivuar me grurë për vitin që vjen, parashikohet të arrijë në 70.000 ha në total, duke shënuar një rritje me 31.2%.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se 7470 fermerë nga rajone të ndryshme të vendit, kanë aplikuar për të përfituar mbështetje financiare prej 30 mijë lekësh, për jo më pak se 1 hektar tokë të mbjellë me grurë.
Qeveria adresoi përmes kësaj skeme një fond prej 500 milionë lekësh për të nxitur mbjelljet e reja me grurë, si masë parandaluese ndaj tranzicionit të tregjeve ndërkombëtare për shkak të luftës Rusi-Ukrainë dhe këtë vit do të subvencionojë kultivimin e grurit në mbi 16 660 hektarë tokë.
Megjithatë, duke qenë se aplikimet janë bërë në bazë vetëdeklarimi, AZHBR do të bëjë një vlerësim administrativ, duke kërkuar nga secili fermer dokumentet e pronësisë, faturat e blerjes së farave dhe plehrave kimikë dhe më pas verifikimin në terren për mbjelljet faktike.
AZHBR bën me dije se brenda javës pritet të shpallet lista e fermerëve fitues, ndërsa pagesat do të kryhen pasi të bëhen mbjelljet deri në fund të muajit dhjetor 2022. Nëse kërkesa e vetëdeklaruar për mbjellje është reale, AZHBR do të shikojë mundësinë për të kërkuar shtesë buxheti, në mënyrë që fermerët të mos mbeten pa përfituar.
Aktualisht në vend prodhohen mesatarisht 233 mijë tonë grurë, ndërsa importohen mbi 221 mijë tonë.
/r.e/























