TIRANË, 22 shtator/ATSH/ “Diaspora shqiptare për zhvillim strategjik” titullohet konferenca e mbajtur në Elbasan, organizuar nga “Projekte Ndërkombëtare Vullnetare” lobi Euroatlantik, si dhe bashkia Elbasan.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë biznesmenë, nënkryetari i bashkisë Kristansand të Norvegjisë Erik Rostoft, përfaqësues nga Ministria e Diasporës, kryetari i bashkisë së Deçanit Bashkim Rramosaj, edhe ai i Lezhës Pjerin Ndreu, Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, PVD në Luginë të Preshevës, Nermine Aliji Ademi, Sekretare e Kuvendit Komunal në Bujanovc, Naser Xani veprimtar dhe poet në Norvegji.
Në fjalën e tij përshëndetëse Rostoft tha se “Elbasani i ka dhënë një rëndësi vullnetarizmit në tërësi, ndaj bashkia e Kristansand do t’iu ndihmojë dhe t’u japim praktikat më të mira në të ardhmen”.
Kryebashkiaku Llatja duke falënderuar kryetarin e bashkisë së Kristiansand, Norvegji theksoi se “kur flisnim për vullnetarizmin në Elbasan, por jo vetëm, ne nuk rreshtim dot pa e kthyer kokën mbrapa pa parë diasporën tonë, e cila ka ndërtuar kaq shumë gjëra në qytet tek ne vullnetarisht, me kontributin e tyre, me forcat dhe dëshirat e tyre. Kemi Sahatin e Elbasanit që është shembulli më i mirë, bibliotekën e qytetit, i dhurimit të librave në mënyrë vullnetare, kemi plot e plot gjëra të tjera, jo vetëm tek ne, por në të gjithë Shqipërinë”.
“Diaspora është një pasuri që ne e kemi sepse janë njerëz me zemër të madhe, të cilët ndonëse larg e kanë qytetin e Elbasanit pikë në zemër dhe kanë kontribuar pafund gjatë këtyre 30 viteve. Diaspora është një shembull i mirë për ne sesi duhet të organizohemi dhe për hapat e vullnetarizmit. Kemi shumë punë për të bërë dhe aktivitete të tilla na bëjnë mirë se mblidhemi”, tha Llatja.
Ai shtoi ndër të tjera se “ky aktivitet vjen në kuadër të “Javës Evropiane të Lëvizshmërisë” ku sot që flasim kemi vetëm 11 % të lëvizshmërisë me biçikleta dhe pjesa tjetër me makina dhe pastaj ne fillojmë dhe krijojmë problemet tona. Me grupin e të rinjve kemi filluar të ndërmarrim fushata sensibilizuese për të gjithë shoferët e makinave, për shëndetin, ambientin për fëmijët tanë. Janë gjëra të vogla, por me ndikim të madh. Bashkia nuk i siguron dot të gjitha, por të bëhemi të gjithë bashkë për të krijuar lehtësirat tona për të bashkëjetuar më mirë brenda komunitetit”.
/k.s/j.p/r.e/












