TIRANË, 16 shtator/ATSH/ 80 vjet më parë u mbajt Konferenca e Pezës. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synimin që të formohej një front i përbashkët lufte kundër pushtuesve italianë.
Konferenca mori disa vendime të rëndësishme:
1- Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
2- Mobilizimin e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë.
3- Ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin.
4- Rreshtimin e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
5- Krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike pas lufte.
Sa i përket çështjes së rikthimit të Mbretit Zog, u vendos që vendimi të merrej pas lufte nga vetë populli shqiptar. Lidhur me çështjen e Kosovës, u arrit në përfundimin që ajo të zgjidhej pas luftës, mbështetur në të drejtën e vetëvendosjes. Në fund të punimeve, Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me kryetar Kamber Qafëmollën.
/r.e/























