TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Policia ka vënë në pranga një 59-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm.
Policia gjithashtu ka proceduar penalisht edhe 14 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit ka njoftuar sot se, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore disa javore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrantë, nga kufiri me Greqinë në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 14”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. A., 59 vjeç, banues në Durrës.
Policia bën të ditur se, ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me një automjet, 14 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/r.e/























