TIRANË, 9 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj përkujtoi sot 76-vjetorin e kryengritjes së Postribës kundër regjimit komunist.
Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj u shpreh se Kryengritja e Postribës u shënua në histori si e para kryengritje antikomuniste në gjithë Europën Lindore.
“Në vitin 1945, pas asaj të Kelmendit, Koplikut, Bërdicës dhe Anës së Malit, kjo e Postribës, pati meritën se guxoi të sfidonte me një aksion sulmues regjimin komunist, bash në pikun e revanshit të tij. Kryengritja, në pabesi, u shtyp me gjak! Atë ditë u pushkatuan publikisht 12 kryengritës. Të nesërmen nga 10 shtatori e për çdo ditë deri edhe gjatë vitit 1947, vijuan vrasjet e internimet me mbi 60 të vrarë. Brenda 1 muaji në Shkodër u ngritën 11 burgje të përkohshme dhe mbi 1200 qytetarë u arrestuan. Gjyqe të improvizuara ushtarake pasuan, dhe sheshet e Shkodrës u shndërruan në poligone të qitjes ushtarake të ekzekutimit. Kufoma të mbuluara e të pambuluara shiheshin ngado në sheshet e qytetit. Postribasit dhe qytetarët e Shkodrës, u bënë dëshmitarë të ekzekutimeve publike pa gjyq”, u shpreh ai.
Po ashtu, Alibeaj shtoi se sot, “76 vite më pas nderojmë kujtimin e martirëve të diktaturës, respektojmë guximin e atyre burrave, që patën kthjelltësinë politike dhe gjykimin e pastër, të parashikonin se vendosja e komunizmit në Shqipëri do të ishte pjesa më e zezë e historisë shqiptare. Ashtu siç edhe rezultoi dhe siç e përjetuan breza të tërë”.
“Postriba mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë në diktaturë. Një ngjarje që edhe sot na detyron të kthejmë kokën pas dhe të vlerësojmë me gjakftohtësi dhe seriozitet sakrificën e atyre burrave që me aktin e tyre treguan forcën dhe vendosmërinë për të penguar instalimin e diktaturës. Mbetet në përgjegjësinë tonë që sakrifica e tyre të zerë vendin që meriton në histori dhe në ndërtimin e një shoqërie me vlera dhe jo peng i së shkuarës. I paharruar kujtimi i heronjve të Postribës”, u shpreh Alibeaj.
/j.p/r.e/






















