Ballina Flash

Tabaku: Nuk ka paketë antikrizë, rishikim buxheti rutinë

TIRANË, 8 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabku deklaroi sot se nuk ka asnjë paketë antikrizë, janë vetëm 50 milionë euro rutinë dhe nuk përfiton asnjë grup.

Në fjalën e saj në Kuvend, Tabaku reagoi pas fjalës së Kryeministrit Rama për paketën e Rezistencës Sociale, duke u shprehur se qeveria shqiptare këtë vit nuk ka paketë.

“Është një ndryshim normal buxheti dhe ato qindra-mijëra pensionistë e miliona shqiptarë, e në fakt nuk kishte asnjë shifër për kategoritë që preken përveç nënave me dy fëmijë dhe tre fëmijë”, tha ajo.

Ajo theksoi se nuk përfiton në mënyrë të qëndrueshme asnjë grup.

“Sa herë që ka një krizë kjo qeveri nis e ankohet. Ndodhi pandemia, filluan ankesat edhe në luftën në Ukrainë. Për çdo gjë që ndodh në këtë vend e ka fajin opozita. Kujton akoma se është kryetar bashkie. Na drejtohet ne sikur e kontrollojmë ne territorin. E dëgjuat që pranoi që këtë viti qeveria shqiptare nuk ka paketë, është ndryshim normal buxheti, ato qindra pensionistë që dëgjuat, në vetvete e gjitha është 50 mln euro. I indeksuan dy herë pensionet, duhet t’ia shpjegojë dikush se indeksim është me normën e inflacionit. Të bësh sikur ti i rrit pensionet me 3% për 654 mijë pensionistë që sot janë në mëshirë të fatit si rezultat i rritjes së çmimeve ku janë rritur nga 7.5% deri në 29 % për disa produkte të shportës është mëshirë, është keqardhje. Dëgjova ministren e Financave që u mburr se buxheti i shtetit ka marrë mbi 500 milionë euro shtesë. Ku janë këto para? Pse nuk u shkojnë qytetarëve? Pse sot të ardhurat si rezultat i rritjes së çmimeve që i kanë paguar qytetarët dhe kanë ardhur në buxhet sot nuk shkojnë për ekonominë?”, tha ajo.

Tabaku shtoi se sot nuk po diskutohet për një paketë si të gjitha vendet e tjera.

“Dëgjova këtu që përmendi Zvicrën e Gjermaninë dhe i shkon goja po ke burgu, por harroi të thotë se Gjermania ka paketë mbështetëse 6.5 mld. Që vende të tjera të BE-së po vendosin çmime tavan për sa i përket energjisë, ndërsa ne sot po e rrisim 23% për familjet, sepse aq janë ata që janë mbi 800 kWh. A e dëgjuat të thotë ndonjë gjë për klubin e oligarkëve, apo për karburantet? A e dëgjuat të flasë për ndonjë politikë të re për fermerët? Këtë të 30 mijë lekëshit për grurin ka disa muaj që po e dëgjoj. E kishin bërë dhe reklamë në radio. Të gjitha këto janë politika rutinë që kishin thënë do i zbatoni dhe nuk janë zbatuar dhe i kanë shtyrë nga korriku në shtator. Nuk ka paketë. Sot janë 50 mln euro rutinë për të cilët nuk përfiton në mënyrë të qëndrueshme asnjë grup. Rriten pagat për administratë publike, 20 mijë punonjës. 180 mijë punonjës ka administrata sot. Rritet paga minimale nga 32 në 34 mijë lekë, sikur është ndonjë meritë e jashtëzakonshme. Po biznesi çfarë do të bëjë? Si mund të rritet paga minimale dhe t’ia kalosh këtë ngarkesë biznesit në një kohë krize, ku nuk ka asnjë paketë mbishtesë për bizneset”, tha më tej Tabaku.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis nga Farka konfiskimi i ndërtimeve pa leje, Balluku: 9 kate pa asnjë letër
Artikulli tjetërNikolla pret Mattarellën: Italia, pjesë e jetës së çdo shqiptari