Ballina Flash

Mbylli punimet Konferenca e 50-të Ndërkombëtare e studiuesve të baladave

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Përfundoi punimet Konferenca e 50-të Ndërkombëtare e Studiuesve të Baladës, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe “International Ballad Commission”.

Seanca e fundit e Konferencës, u zhvillua ashtu siç ishte parashikuar, si takim biznesi. U diskutua për mënyrën e organizimit, rezultatet e arritura dhe cilësinë e programit të konferencës së zhvilluar në Shqipëri.

Në konferencë paraqitën kërkimet e tyre 60 studiues, të ardhur nga rreth 40 qendra kërkimore, universitete, institute e akademi.

Punimet e konferencës zgjatën një javë dhe aktet e saj do të botohen vitin e ardhshëm. Konferenca ndërkombëtare e studiuesve të baladës është e para e zhvilluar në Tiranë. Ajo bashkoi studiues nga më të njohurit në shkallë botërore në këtë fushë.

Kryetarja e KfV, Marjetka Golež-Kaučič shprehu vlerësimet e saj të larta për nivelin e organizimit të konferencës, të cilën e vlerësoi si të shkëlqyer dhe shumë të suksesshme.

“Programi që u zhvillua gjatë konferences 1-javore ishte plotësisht në funksion të qëllimeve të saj, theksoi kryetarja e KfV. “Zgjedhja e Gjirokastrës si qyteti i dytë për zhvillimin e konferencës, njëherësh dhe “qytet i festivaleve folklorike”, po ashtu dhe e Butrintit si qytet antik që tregon vijimin e pandërprerë të historisë së shqiptarëve, gjithashtu qe krejt e frytshme.”

Në konferencë u trajtuan gjerësisht probleme të fondit të baladave dhe këngës popullore shqiptare jo vetëm nga studiuesit vendas, por edhe nga ata arbëreshë. Gjithashtu ishin të pranishëm dhe studiues nga Kosova. Marjetka Golež-Kaučič u konfirmua si presidente e KfV dhe Arbnora Dushi u rizgjodh zëvendëspresidente. Konferenca e 51-të e KfV do të mbahet në Helsinki.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Kemi inflacionin më të ulët në Europë pasi nuk rritëm çmimin e energjisë
Artikulli tjetërBalluku: Mbështetje financiare për 70% të kostos për panelet diellore në tarraca