Ballina Aktualitet

Mattarella: Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella i cili nisi sot vizitën dyditore në Tiranë u shpreh se “do të jemi gjithmonë mbështetës në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Bajram Begaj, Mattarella theksoi se “ne jemi të gatshëm për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. Shqipëria është një partnere mjaft e rëndësishme në rajonin e Ballkanit”.

Presidenti Mattarella u shpreh se “shkëmbimi i kulturës dhe qytetërimit mes dy vendeve ka qenë konstant në të gjithë kohën. Arbëreshët në Itali kanë ruajtur kulturën e tyre.
Kujtojmë komunitetin arbëresh në Itali, që ka ruajtur traditat dhe zakonet specifike, të kontribuojmë për ta kultivuar këtë miqësi edhe në brezat e rinj”.

“Bashkëpunimi kulturor është shumë i rëndësishëm. Italia është e gatshme që të kontribuojë edhe në sajtet që mbrohen nga UNESCO në Shqipëri. Shqipëria është kryesore në Evropë, jo vetëm për marrëdhënien me Italinë, por edhe më Evropën. Ne do të jemi gjithmonë mbështetës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Mattarella.

Presidenti italian Sergio Mattarella u prit sot me ceremoni shtetërore nga Presidenti Begaj në Pallatin e Brigadave. Gjatë vizitës dyditore zyrtare, Mattarella do të vijojë takimet dhe me zyrtarë të lartë të shtetit.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakItalia dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë
Artikulli tjetërNafta falas për bujqësinë, në Fier përfituan 8 mijë fermerë