Ballina Aktualitet

BE për sulmet kibernetike: Solidaritet të plotë me Shqipërinë

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borrell shprehu sot në një deklaratë në emër të Bashkimit Evropian solidaritetin me Shqipërinë dhe shqetësimin pas aktiviteteve keqdashëse kibernetike të korrikut.

“Bashkimi Evropian, së bashku me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, shpreh solidaritet të plotë me Shqipërinë dhe shqetësim pas aktiviteteve keqdashëse kibernetike të korrikut. Sulmi shënjestroi drejtpërdrejt infrastrukturën kritike dhe ndikoi në ofrimin e shërbimeve publike për njerëzit dhe bizneset në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

“Ne dënojmë fuqimisht një sjellje të tillë të papranueshme në hapësirën kibernetike, e cila bie ndesh me normat e pranuara të sjelljes së përgjegjshme të shtetit, mbështetur në mënyrë të përsëritur nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së”, thekson Borrell.

“Një sjellje e tillë destabilizuese dhe e papërgjegjshme që synon të kërcënojë integritetin dhe sigurinë e Shqipërisë, vlerat dhe parimet demokratike, si dhe tenton të minojë institucionet demokratike dhe shoqëritë në përgjithësi, është e papranueshme”, shton Borrell.

“Bashkimi Evropian, së bashku me NATO-n dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, është i gatshëm të mbështesë qëndrueshmërinë kibernetike të Shqipërisë mbështetur në bashkëpunimin tonë ekzistues për sigurinë kibernetike”, theksohet më tej në deklaratë.

“Në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike dhe Busullën Strategjike, Bashkimi Evropian është i vendosur të parandalojë sulmet kibernetike përmes qëndrueshmërisë së shtuar dhe duke iu përgjigjur me vendosmëri sulmeve kibernetike kundër BE-së dhe shteteve anëtare, si dhe është i përkushtuar të ndihmojë për ndërtimin e qëndrueshmërisë së sigurisë kibernetike në vendet kandidate dhe në vende të tjera, duke përdorur të gjitha mjetet e disponueshme të BE-së”, nënvizon Borrell.

“Ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën me kujdes dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, aty ku është e nevojshme, për të mbështetur Shqipërinë”, përfundon Borrell.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdarja nga jeta e Elizabeth II, mesazhe ngushëllimi
Artikulli tjetërFRANKFURT – Bien çmimet e gazit në Evropë