Ballina Aktualitet

Berisha: Sot krimi godet kudo

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “krimi godet kudo dhe e vërteta është se sot ai po qeveris”.

Në një bashkëbisedim me ekspertë dhe gazetarë për situatën alarmante që po kalon rendi publik në Shqipëri, Berisha tha se “Policia e Shtetit, rendi dhe siguria, janë viktimë”.

“Këtu falimentojnë çdo ditë biznese të ndershme nga taksidarë brutalë që shkojnë dhe i gjobisin për çdo gjë. Kurse ai që i bën paratë me aktivitet kriminal, lejohet t’i sjellë. Kjo përbën një problem shumë të madh me vendet e tjera. Përveç kësaj një nga tre faktorët të largimit të shqiptarëve nga Shqipëria është pasiguria për jetën dhe pronën në këtë vend”, shtoi ai.

Berisha solli në vëmendje dy tregues të raporteve të fundit të EUROSTAT, lidhur me ndërtimet në Shqipëri.

“Ne zëmë vendin e parë në Europë, me të parin me distancë të madhe në treguesin e ndërtimit. Ne mund ta kemi 4-5 herë më të lartë se Suedia, sipas Eurostat. Në çdo logjikë ekonomike, aty ku ndërtohet kaq shumë, çmimet duhet të jenë nga më të pranueshmet. Por e vërteta është se rreshtohemi të tretët në Europë për çmimet më të larta në ndërtime.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ata që nuk kanë nuk blejnë dot më apartamente. Nuk mund të blejnë. Ata mbeten pastrehë. Vendi mbushet me kulla e ndërtime, por qytetarët shqiptarë nga kjo shohin vetëm mollën e ndaluar”, tha ai.

Berisha thekson se “ajo që është tejet shqetësuese është, një përpjekje e hapur e Edi Ramës, për të rreshtuar Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s me Serbinë, e cila në të gjitha kohërat që kur është bërë e pavarur deri më sot, është e njohur si Rusia e vogël”.

“Në këtë kontekst më duhet të them se nëse duhet të ishte Shqipëria e para që duhet të kundërshtonte një projekt, është në fakt Kosova, qeveria e Kosovës që është shndërruar një nga faktorët kryesorë të gjysmimit të këtij projekti, apo shndërrimit të këtij projekti në një aleancë trilaterale Beograd-Shkup-Prishtinë. Në të vërtetë kjo aleancë aq sa përbën një problem të pamohueshëm për sigurinë kombëtare, aq problem është edhe për rendin, sigurinë dhe luftën ndaj krimit. Janë pikërisht në këtë aks, lëvizin, operojnë, bandat më të fuqishme të Ballkanit. Atje ishte Bjellivuku, këtu janë Bjellivukët e tjerë, por në një farë mënyre ‘Ballkani i Hapur’ është një Ballkan i hapur për krimin, drogën, për pasigurinë”, tha ai.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRIGË – Lituania i ofron Ukrainës obusë nga rezervat e saj
Artikulli tjetërRama: Ndërtimet pa leje do shemben ose konfiskohen