TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije emrat e shkollave të reja, që do të hapen këtë vit të ri shkollor në kryeqytet dhe që i japin fund mësimit me dy turne.
“Ne do të hapim këtë javë, para se të fillojë viti i ri shkollor, shkollën “Andrea Stefani” te rrethrrotullimi i ‘Shqiponjës’, që do i shërbejë Njësive 7 dhe 11. Do hapim dy shkolla të reja në Kodër-Kamzë, shkolla “Nënë Tereza” dhe shkolla “Kenedi”, që i shërbejnë kryesisht Njësisë 11, por që amortizon dhe një pjesë të Kamzës dhe Kodër-Kamzës. Do hapim shkollën “Bashkim Fino” te Qyteti Studenti, gjithashtu do hapim shkollën “Luan Hajdaraga” në ish-zonën ushtarake të Shërbimit Informativ Ushtarak. Kemi shkollën te Fresku që ka marrë emrin “Klodian Tanushi”, një shkollë tjetër 9-vjeçare”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se “i kemi dhënë fokus këtë vit shpëtimit të Tiranës nga shkollat me dy turne”.
Më 12 shtator në të gjithë vendin nis viti i ri shkollor në arsimin parauniveristar.
/k.s/r.e/























