TIRANË, 5 shtator/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se kjo parti do të depozitojë në Kuvend një projektligj për indeksimin e pagave.
Në një konferencë për mediet, Meta u shpreh se indeksimi i pagave kërkohet pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
“Jemi edhe në çeljen e sesionit të ri të Kuvendit. Pikërisht duke i bërë të ditur se projektligji që kanë nënshkruar deputetët e Partisë së Lirisë për indeksimin e pagës së punonjësve të administratës publike do të depozitohet në Kuvend. Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e rregullave për të garantuar rritjen e pagës kur ekonomia ka rritje pozitive. Parashikohet edhe vendosja e një rregulli për të mbrojtur ata nga rritja e çmimeve. Pagat nuk janë indeksuar sipas inflacionit. Paga bazë minimale mujore shërben si shkallë e pagës në të gjithë vendin”, tha Meta.
Meta iu përgjigj interesit të medieve në lidhje me dosjen I.M dhe qëndrimin e Partisë së Lirisë për projektligjin e Dosjeve.
Ai theksoi se Partia e Lirisë është pro hapjes së dosjeve të spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Sa i takon ligjit për spiunët, është një ligj që e ka bërë vetë Partia Socialiste në vitin 2015, sipas modelit gjerman. Është një ligj që e ka shkelur vetë PS me përfaqësuesit e saj me Autoritetin e Dosjeve. Qëndrimi ynë si Parti e Lirisë dhe në koherencë me ish-qëndrimin e LSI-së në atë kohë dhe qëndrimin tim si politikan në të gjitha kohët ka qenë hapja e dosjeve dhe demonstrimi i tyre para opinionit publik, për cilindo që dëshiron të zgjidhet. Ndërsa për rastin konkret kemi të bëjmë me një falsifikim të Edi Ramës por dhe të gjithë kukullave të tij tek Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve. Me se duket ky falsifikim është bërë evident edhe në arkiva të tjera dhe siç edhe dihet kam bërë kallëzim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve. SPAK ia ka kaluar për kompetencë prokurorisë”, tha ai.
/r.e/























