Ballina Aktualitet

Balla-opozitës: Bashkëpunim për “despiunimin” e politikës

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot gjatë seancës së parë të Kuvendit për këtë sesion të ri, se çështja e despiunimit të politikës shqiptare është mjaft e rëndësishme për mazhorancën dhe si e tillë do të trajtohet me prioritet.

“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit shtetit në një strukturë sekrete terrori në të gjitha majat e piramidës shtetërore të Shqipërisë demokratike kërkon një reflektim serioz nga ky Kuvend. Grupi Parlamentar i PS ka depozituar tashmë dy projektligje që erdhën si një iniciativë e Autoritet për Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe kërkojmë edhe nga ana e opozitës mbështetjen”, tha Balla.

Sipas tij, i pari ka të bëjë me heqjen e një barriere artificiale, si produkt i një konsensusi politik, shumë vite më parë të verifikimit të të gjithë atyre që kanë qenë të pajisur me certifikata nga komisionet e mëparshme.

Kjo, tha ai, duhet bërë më urgjencë në mënyrë që transparenca të jetë për të gjithë.

Balla tha se mirëpret tre propozimet nga opozita.

“Por shpresojmë se opozita të ketë pjekurinë e duhur politike të negociojë mbi to. Hapësira dhe mundësia e gjetjes së konsensusit është që edhe disa projektligje të tjera që do të sjellim në këtë paketë, të marrin dakordësinë. I referohem ligjit të dekriminalizimit, ku ka ardhur koha të shtojmë edhe pjesën që lidhet me përfshirjen e atyre personave që kanë qenë pjesë e sigurimit të shtetit apo bashkëpunëtorë të sigurimit. Kriminelë janë edhe ata”, u shpreh Balla.

Balla theksoi se “është në nderin e asaj se çfarë përfaqëson PD të mbështesë dhe natyrshëm edhe ne të mbështesim projektligjet në frymën e bashkëpunimit për të gjetur variantet finale”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Johnson-Zelensky: Do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë
Artikulli tjetërMazhoranca do të dorëzojë në Kuvend p/ligjin “Për amnistinë fiskale”