LOS ANXHELOS, 3 shtator /ATSH-DPA/- Ikona e ekranit dhe aktivistja amerikane, Jane Fonda zbuloi të premten se është diagnostikuar me kancer dhe ka filluar kimioterapinë.
Fonda tha se ka filluar trajtimin e “Limfoma jo-Hodgkin” për të cilën ajo tha se është një sëmundje kancerogjene e shërueshme.
Aktorja, e njohur për punën e saj në projektet filmike dhe televizive, duke përfshirë “Barbarella”, “9 to 5” dhe “Grace and Frankie” tha se do t’i nënshtrohej kimioterapisë për gjashtë muaj.
Në një postim në Instagram, Fonda, 84 vjeçe tha se 80% e personave arrijnë t’i mbijetojnë kësaj semundjeje, kështu që ajo ndihej me shumë fat.
Fonda, e cila i është përkushtuar shumë kauzave sociale gjatë karrierës së saj prej dekadash, shpjegoi lidhjen midis diagnozës së saj dhe çështjeve emergjente globale.
“Ne gjithashtu duhet të flasim shumë më tepër jo vetëm për kurat, por për shkaqet, në mënyrë që t’i eliminojmë ato”, tha ajo në shkrimin e saj në Instagram.
“Për shembull, njerëzit duhet të dinë se lëndët djegëse fosile shkaktojnë kancer. Po ashtu edhe pesticidet, shumë prej të cilave janë të bazuara në lëndë djegëse fosile”, tha Fonda.
Vitet e fundit, Fonda është bërë një aktiviste e shquar për ndryshimet klimatike. Në shkurt 2020, aktorja fituese e çmimit “Oscar” nisi një seri protestash në Kaliforni për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës klimatike.
“Kanceri është një mësues dhe unë po i kushtoj vëmendje mësimeve”, shkroi Fonda. //a.i/












