Ballina Flash

Princeshë Diana, 25 vjet pas vdekjes

Princesha e Uellsit u vra më 31 gusht 1997 në një aksident automobilistik në tunelin “Pont de l’Alma” në Paris.

LONDËR, 31 gusht /ATSH/- Princesha e Uellsit, Diana u përkujtua sot nga familja, miqtë dhe adhuruesit e shumtë me rastin e 25-vjetorit të vdekjes, sipas “The Independent”.

Vdekja e Dianës në vitin 1997 tronditi botën dhe në dekadat që pasuan ndikimi i saj ka qenë i dukshëm edhe në kauzat e mbështetura nga mbretërit, mënyrën sesi ata sillen dhe madje edhe në zgjedhjet e tyre të modës.

Trashëgimia e saj më e madhe kanë qenë djemtë e saj, Dukat e Kembrixhit dhe Sussex-it, të cilët mishërojnë besimet dhe vlerat e saj.

Duke folur së fundmi për Dianën, Harry tha: “Nuk ka asnjë ditë gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë që të mos mendoja për gjurmën që ajo la tek unë dhe vëllai im”.

Diana përkrahu çështje si ndërgjegjësimi për SIDË-n dhe duke u bashkuar me aktivistët që bënin thirrje për ndalimin e minave tokësore.

Shijet e saj në modë e bënë atë një yll kopertinash për revistat dhe gazetat anembanë globit, madje edhe pasi ajo u shkëput nga familja mbretërore, Diana shihej ende si fytyra moderne e monarkisë.

Joe Little, nga revista Majesty, tha: “Tragjedia e vdekjes së papritur të Dianës do të mbetet në kujtesën tonë për shumë vite në vijim, dhe gjithashtu jeta e vështirë që ajo pati para vdekjes së saj”.

Duke komentuar kontributin e saj në jetën kombëtare, ai shtoi: “Ajo bëri depërtime të mëdha lidhur me qëndrimin e saj ndaj SIDË-s. Unë mendoj se të ndikuar nga Diana njerëzit u bënë shumë më të vetëdijshëm për këtë sëmundje”.

Ai shtoi se djemtë e saj kanë ndjekur shembullin e nënës së tyre duke thyer barriera dhe duke qënë më pak formal.

“Nese ju kujtohet William në Wembley gjatë ndarjes së medaljeve në finalen e Kampionatit UEFA për Femra, ai përqafohet me lojtarët e Anglisë, kjo është diçka që ndoshta nuk do të kishte ndodhur deri vonë”, tha ai.

Dy vëllezërit e familjes mbretërore i bënë homazhe nënës së tyre verën e kaluar më 1 korrik, ku zbuluan një statujë të princeshës në kopshtin e shtëpisë së saj në “Kensington Palace”.

Në një deklaratë pas ceremonisë së shkurtër, vëllezërit thanë: “Sot, në ditëlindjen e 60-të të nënës sonë, ne kujtojmë dashurinë, forcën dhe karakterin e saj, cilësi që e bënë atë një shembull në mbarë botën, duke ndryshuar jetë të panumërta njerëzish”.

Përpara vdekjes së saj në një aksident automobilistik në Paris më 31 gusht 1997, princesha kishte një vit e divorcuar derisa fazat përfundimtare të ndarjes së martesës u bënë publike.

Problemet martesore të Dianës dhe çështjet si bulimia dhe përpjekjet e saj për vetëvrasje u paraqitën në librin e Andrew Morton në vitin 1992, me titull “Diana, Her True Story”.

Tre vjet më vonë, Diana deklaroi për BBC, “Ne ishim tre persona në këtë martesë, kështu që ishin pak si shumë njerëz”, – një referencë për Camilla Parker Bowles me të cilën Charles u martua më vonë.

BBC u zotua muajin e kaluar se nuk do ta transmetonte më intervistën pas hetimit të kryer nga ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë Lord Dyson, i cili zbuloi se gazetari Martin Bashir përdori “manovra mashtruese” për të siguruar informacionin.

Ai kishte falsifikuar deklarimet bankare të cilat ia kishte treguar vëllait të Dianës, Earl Spencer për të pasur akses te princesha. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDëgjesa për bastet online në të zezë, reagon Kaso
Artikulli tjetër​Jasharaj: Mësimi s’do të fillojë, nxënësit të mos shkojnë në shkollë