MOSKE, 31 gusht /ATSH/ – Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes një tubacioni të madh, duke thënë se nevojiten riparime, shkruan BBC.
Gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, tha se ”kufizimet në gazsjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për tre ditët e ardhshme”.
Rusia tashmë ka reduktuar ndjeshëm eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit. Ajo mohon akuzat se ka përdorur furnizimet me energji si një armë lufte kundër vendeve perëndimore.
Tubacioni Nord Stream 1 shtrihet 1200 km (745 milje) nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore.
Ai u hap në vitin 2011 dhe mund të dërgojë maksimum 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani.
Tubacioni u mbyll për 10 ditë në korrik – përsëri për riparime, sipas Rusisë – dhe kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20% kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si pajisje me defekt.
Udhëheqësit evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të rritur çmimet e gazit, të cilat tashmë janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar.
Megjithatë, njoftimi i sotëm nuk pritej të ndikonte menjëherë në çmime. Çmimi kryesor i gazit natyror në Mbretërinë e Bashkuar u ul në fakt me më shumë se 15% në tregje. /os/












