TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Shqipëria së shpejti do të ketë Planin e ri Kombëtar të Emergjencave Civile, që përditëson planin aktual, i hartuar që në vitin 2004.
Me mbështetjen e projektit “Forcimi i aftësive ripërtëritëse në Shqipëri”, RESEAL, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Haki Çako ka nisur punën për hartimin e këtij dokumenti jetik.
Procesi i konsultimeve do të udhëhiqet nga një ekip me ekspertë vendas e të huaj, ku do të zhvillohen takime me të gjithë aktorët dhe asistojnë grupin ndërinstitucional të punës i ngritur për përgatitjen e Planit të Ri Kombëtar të Emergjencave Civile.
Plani i ri Kombëtar i Emergjencave Civile bëhet në vijim të punës dhe pas përfundimit të 2 dokumenteve po aq jetike për vendin, si Strategjia Kombëtare e Zvogëlimit të Riskut dhe Plani Veprimit si dhe Dokumenti Kombëtar i Vlerësimit të Riskut.
Projekti RESEAL po mbështet sistemin e mbrojtjes civile në nivel vendor dhe kombëtar si dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për një menaxhim gjithëpërfshirës dhe efektiv të sistemit të Mbrojtjes Civile në Shqipëri.
/r.e/


























