TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Autoriteti Portual Durrës njoftoi sot të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar lundrimin e tyre nga Porti i Durrësit drejt Ankonës (Itali) pasditen e sotme, se ky lundrim nuk do të realizohet për shkak të një avarie që ka pësuar trageti “AF MARINA” (në Ankona).
Sipas APD-së, riparimi i defektit është bërë i mundur mëngjesin e sotëm dhe për rrjedhojë nisja nga Ankona është bërë me disa orë vonesë.
“Kompania “Adria Ferries” ka vendosur që nisja e ditës së sotme Durrës- Ankona, ora 17:00, të anulohet dhe 483 pasagjerët me 146 autovetura të nisen për Bari me tragetin “AF Marina”. Kompania “Adria Ferries” ka aktivizuar procedurën për asistencë ndaj pasagjerëve sipas normativës UE 1177. Pasagjerët po njoftohen për ndryshimin e udhëtimit dhe mund të zgjedhin sipas dëshirës: të udhëtojnë sot drejt Barit ora 01:00 dhe në kohën e kryerjes së check-in, do t’u rimbursohet diferenca e tarifës që vjen si pasojë e ndryshimit të destinacionit, bileta t’i shtyhet automatikisht për një ditë tjetër, si dhe të marrin 100% të vlerës së biletës (nëse nuk udhëtojnë)”, theksohet në njoftim.
Gjatë javës së kaluar në portin e Durrësit tragetet që nisen nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës, po transportojnë një numër në rritje të udhëtarëve vendas dhe të huaj. Po në këtë javë janë përpunuar 60,255 udhëtarë, nga të cilët 44,169 në dalje dhe 16,086 në hyrje.
/k.s/r.e/























