TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Ka ulur siparin “Festa e Birrës” në Korçë, një event i shumëpritur dhe nga më të rëndësishmit e sezonit veror në vend.
Në tri skenat e përzgjedhura nga organizatorët, performuan një numër i madh artistësh vendas e të huaj, koncertet e të cilëve sollën emocione dhe energji tek publiku. Festa e Birrës Korçë, kulmoi me këngëtaret Anxhela Peristeri e Aurela Gaçe, si dhe me të mirënjohurin këngëtarin grek Konstantinos Argiros, i cili vinte për herë të parë në Shqipëri.
Sipas organizatorëve, në natën finale, në shesh gjendeshin më shumë se 5 mijë vetë.
Këtë edicion “Festa e Birrës” pati një numër të madh turistësh vendas e të huaj, i është bashkuar banorëve të Korçës, për të ndjekur nga afër 5 netët e birrës, muzikës dhe ushqimeve tradicionale korçare.
Më herët kryeministri Rama e ka cilësuar Festën e Birrës si një nga eventet më të mëdha në Shqipëri, me impakt të madh në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
/r.e/


































