TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Shefi i Organizimit të PD-së, Klevis Balliu u shpreh sot në një deklaratë për mediet se gjendja kriminale në vendin tonë ka arritur në nivele të paimagjinueshme.
“Në pak muaj qytetet tona kanë përjetuar terrorin dhe dramën e 47 atentateve, në të cilat kanë humbur jetën 24 persona dhe janë plagosur 23 të tjerë. Vendi është kthyer në një fushëbetejë të bandave, të cilat edhe nëse nuk kanë mbrojtjen e qeverisë, kanë ‘lejen’ e Edi Ramës: ‘hëngshi kokat’!”, tha Balliu.
“Partia Demokratike, e cila ka rekord serioz, pozitiv dhe të pathyeshëm në luftën kundër bandave, bën sot një apel kombëtar: bandat luftohen duke i burgosur jo duke i lënë ta kthejnë Shqipërinë në Far West, duke rrezikuar jetën, sigurinë, shëndetin psikologjik të qytetarëve. Shqiptarët nuk mund të jenë një ‘dëm anësor’ në luftën e bandave. Shqiptarët janë përballur me pamje të tmerrshme, nga shpërthimet me tritol si ai i datës 11 qershor, te vrasjet e dyfishta dhe trefishta, siç ishin rastet e Fushë Krujës, Vlorës dhe Elbasanit”, theksoi Balliu.
“Gjendja kriminale në Shqipëri është kthyer në problem edhe për partnerët tanë europianë. Raportet ndërkombëtare si ai i “Numbeos” e vënë Shqipërinë të dytën e Europën Jugore. Raporti i Departametit të Shtetit i datës 2 Mars evidenton se krimi i organizuar në vendin tonë ka arritur nivele të larta”, u shpreh Balliu.
“Kryeprokurori i Antimafias Italiane ka deklaruar se fuqia e bandave shqiptare vjen nga lidhjet e ngushta me qeverinë dhe në veçanti evidenton pastrimin e parave në fushën e ndërtimit, çka ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve. Ndërkaq inkriminimi i institucioneve të shtetit shqiptar, në veçanti të Policisë, ka minuar ne themel luftën ndaj bandave”, theksoi Balliu. /j.p/






















