Ballina Flash

Përkujtohet Ferit Vokopola në ditën e lindjes

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Si sot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola.

Studimet e larta i kreu në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Me qeveritë e Ismail Qemalit dhe Turhan Pashës, do të mbante poste të kryesekretarisë në disa ministri. Vokopola qe organizator i Kongresit të Lushnjës, sekretar i Kongresit të Durrësit, parlamentar, ministër i Bujqësisë e zv.ministër i Punëve Botore.

Vokopola qe edhe një nga përkrahësit e idesë së caktimit të Tiranës si kryeqytet dhe bëri çmos për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme. Me krijimin e Komunitetit Mysliman, ai ndërmori hapa për krijimin e tarikatit Ruifai, si edhe solli dijen islame edhe në fushën e botimeve, si themelues i revistës “Njeriu” dhe si drejtues i organizatës “Drita Hyjnore”. Së bashku me shumë juristë të denjë të kohës, ai do të mbahet mend edhe për rolin e tij në harmonizimin e Kodit Civil të viteve ’30.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një foto ku Vokopola paraqitet me përfaqësues shtetërorë. Ndërsa, në dokumentin bashkëngjitur me foton paraqiten fragmente nga diskutimet parlamentare ku ai mori pjesë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTiranë, kontrolle për zbatimin e detyrimit të ndalimit të mjeteve në vijat e bardha
Artikulli tjetërGolem, 2 pallate iu dorëzohen familjeve të pastreha nga tërmeti