BRUKSEL, 18 gusht /ATSH-DPA/- Liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për të lehtësuar tensionet e rritura mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë një takimi të mbajtur sot në Bruksel.
“Sot nuk u arrit një marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi”, deklaroi sot përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i cili thirri takimin pasi një mosmarrëveshje lidhur me targat e makinave dhe dokumentet e identitetit në fund të muajit korrik, qe rezultoi në vendosjen e barrikadave dhe të shtënave në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi.
Situata u qetësua pasi Prishtina pranoi që të vazhdonte njohjen e targave dhe dokumenteve të Serbisë për qytetarët kosovarë edhe për 30 ditë, deri në fund të gushtit.
Borrell tha se kishte ende pak kohë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë të mosmarrëveshjes mes frikës se lënia e çështjes pa zgjidhje mund të çonte përsëri në shfaqjen e dhunës.
Borrell shtoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri kosovar Albin Kurti do të rifillonin diskutimet gjatë ditëve në vijim.
“Mendoj se edhe presidenti Vuçiç edhe kryeministri Kurti e kuptuan se nuk ka alternativë tjetër për ta zgjidhur këtë problem përveç dialogut”, tha Borrell.
Borrell e quajti dhunën e fundit një “simptomë” për konfliktin e pazgjidhur rajonal.
Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 1999 pas një lufte dhe shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme në vitin 2008.
BE-ja ka vite që përpiqet të ndërmjetësojë mes dy vendeve.
Pritshmëritë ishin të ulëta para bisedimeve. Vuçiç shkroi në Twitter para takimit se shpresonte per gjetjen e një zgjidhjeje, por vazhdonte të ishte skeptik. //a.i/












