Ballina Ekonomi

Mbrojtja e konsumatorit, ISHMT penalizon 5 subjekte

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut vijon monitorimin e tregut për garantimin e të drejtave të konsumatorëve.
Pas kontrolleve të ushtruara kryesisht në zinxhirët e marketeve, në qytetet kryesore të vendit si dhe përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra në Sarandë, trupat inspektuese gjetën 5 subjekte në shkelje të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”, atij “Për metrologjinë”, si dhe të detyrimeve në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse dhe qeseve oxo-degradueshme dhe oxo-bio të degradueshme”.
ISHMT vendosi 3 masa administrative për mospërputhje të sasisë në etiketën e produktit, me sasinë e përshkruar në etiketën e ekspozuar të produktit në raft.
Ndaj secilit subjekt u vendos masë administrative prej 200 000 (dyqind mijë) lekë.
Po ashtu, u vendos masë administrative ndaj një subjekti, pasi pas inspektimit iu gjet në përdorim instrument matës i paverifikuar.
Ndaj këtij subjekti u vendos masë administrative prej 20 000 (njëzet mijë) lekë.
Trupat inspektuse të ISHMT-së vendosën masë administrative prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh ndaj një tjetër subjekti që iu gjetën në përdorim qese plastike mbajtëse me trashësi më të hollë se 70 mikron.
ISHMT u bën thirrje operatorëve ekonomikë të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe ai “Për metrologjinë”.
Në bazë të këtyre ligjeve, subjektet prodhuese dhe ato tregtuese duhet të afishojnë në mënyrë të dukshme dhe të saktë çmimin për njësi ose sasinë e dhënë të tij që është çmimi përfundimtar, përfshirë të gjitha taksat dhe TVSH-në. Po ashtu ato nuk mund të përdorin instrument matës të paverifikuar.
ISHMT ka në fokus të punës së saj ndërgjegjësimin e subjekteve dhe informimin e tyre për zbatimin me korrektësi të ligjit, ndërsa rikujton detyrimet që rrjedhin prej tij, në mbrojtje të konsumatorëve dhe të konkurrencës së ndershme.
/j.p/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Pas 12 viteve Greqia del nga monitorimi financiar i BE-së
Artikulli tjetërKreditë me probleme zbritën në 5.32%