Ballina Flash

“Andrrat e thyera”, murali i ri për gratë dhe vajzat

PRISHTINË, 5 gusht/ATSH/-Prishtinës i është shtuar një mural i ri, përmes së cilit synohet të ngrihet vetëdija e vajzave e grave për dhunën me bazë gjinore.

Murali i titulluar “Andrrat e thyera” u dedikohet të gjitha grave dhe vajzave që janë vrarë nga burrat apo partnerët e tyre.

“Veprat e tilla të artit janë një mënyrë e fuqishme për të bërë të dukshme çështjen e vrasjeve të grave dhe për të sfiduar normat dhe stereotipet që e justifikojnë dhunën e që janë të rrënjosura thellë në sistemin patriarkal në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës.

Murali është realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, së bashku me piktoren e mirënjohur Fitore Berisha Alisdottir, e cila e sheh artin si mjet për të reaguar ndaj problemeve shoqërore.

Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe UN Women.

E pranishme në inaugurimin e muralit “Andrrat e thyera”, ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

/i.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMJEDIS – Borne: Kjo është thatësira më e keqe që ka goditur Francën
Artikulli tjetër39 kamera për menaxhimin e sezonit turistik në Shëngjin