Ballina Flash

Promovohet libri i autorit spanjoll në COD

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ COD-i në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dudaj”, promovuan librin “Monarku i Hijeve” me praninë e autorit spanjoll të veprës, Javier Cercas, si dhe të shkrimtarit Bashkim Shehu, i cili kësaj here ishte në cilësinë e përkthyesit të romanit.

Ky libër i botuar për herë të parë më 2017, vjen si një hetim personal dhe kolektiv. Ai është një roman për luftën, por thellësisht kundër luftës. Libri rrëfen kërkimin e gjurmës së humbur të një të riu, i cili luftoi për një ngjarje të padrejtë, duke vdekur gjatë betejës.

“Një shkrimtar i madh spanjoll që shkruan pa komplekse, një mendje brilante që arrin të futen në skutat më të errëta të së shkuarës, duke përballur dy anë të kundërta të virtytit”, kështu e portretizon botuesja Arlinda Dudaj, autorin spanjoll Cercas.

Sipas saj, librat e Cercas, mund të lexohen si një pasqyrë e asaj që edhe ne kemi kaluar, dhe si një përballje me të shkuarën e çdo shqiptari, megjithëse librat e tij flasin për Luftën Civile në Spanjë.

“Monarku i hijeve” së bashku me romanin “Ushtarët e Salaminës” dhe librin dokumentar “Mashtruesi”, shihen si një triptik, ku ndonëse nuk lidhen me njëri-tjetrin për nga subjekti konkret dhe personazhet, lidhen me tematikën, e cila është ajo e humanitetit përtej ndasive politike të skajshme dhe armiqësive vrastare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDemo: Rreth 35 milionë investime të hapura në Berat
Artikulli tjetërBici: 11 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit