TIRANË, 22 korrik/ATSH – I. Vata/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimj deklaroi sot gjatë takimit të Kryeministrit Rama me kryebashkiakët në Pogradec se janë dyfishuar fondet për bashkitë në këto vite.
Në fjalën e saj, Ibrahimi vuri theksin te përmirësimi i treguesve financiarë në bashkitë e vendit.
“Gjysma e kohës së diskutimit të kryebashkiakeve i dedikohej financave, që do të thotë ndërgjegje e rritjes së menaxhimit drejtuar financave dhe kursimeve. Që nga viti 2015 buxhetet e bashkive janë përmirësuar, të ardhurat janë dyfishuar në nivel vendi, ndërkohë që dhe transfertat janë rritur dhe detyrimet e prapambetura janë ngadalësuar. Pra në makro gjërat duken mirë. Por ka dhe bashki që kanë probleme, si Vora dhe Kavaja, të cilat gjatë vitit 2022 hyjnë te bashkitë kampione për mbledhjen e të ardhurave”, tha ajo.
Ibrahimaj shtoi se janë 8 bashki të cilat e kanë tejkaluar planin e të ardhurave dhe katër janë në qarkun e Tiranës. “Pjesa më e madhe e bashkive ka ecur mirë edhe me realizimin e shpenzimeve, që do të thotë se ka një kujdes të shtuar për menaxhimin e financave publike. Dhe është pikërisht ky vit i cili do një kujdes të shtuar, pasi jemi duke u përballur me një krizë që ka krijuar shumë pasiguri, e cila ka krijuar disbalanca botërore”, tha ajo.
Ibrahimaj shtoi se “ne kemi filluar procesin e rishikimit të buxhetit, i cili ka për qëllim të ekonomizojë çdo lloj shpenzimi të qeverisë. Kështu, ne do të vazhdojmë me investime që sjellin zhvillim ekonomik, pasi këto investime mbajnë njerëz në punë, injektojnë kapital në biznese të tjera për të siguruar vendet e punës”.
“Do vazhdojmë investimet që kanë të bëjnë me modernizimin e teknologjinë, të cilat kanë rritje të evidencës së shërbimeve ndaj publikut dhe rritje të eficiencës së qeverisjes së përgjithshme. Në këtë drejtim, gjatë vitit të ardhshëm qeverisja lokale të shkojë drejt digjitalizimit, në mënyrë që shërbimet të kryhen në një kohë sa më të shkurtër dhe me një efektivitet sa më të madh”, tha Ibrahimaj.
/j.p/r.e/























