Ballina Bota

RUSI – Putin-Mohammed bin Salman diskutojnë bashkëpunimin në tregun e naftës

MOSKË, 21 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman ranë dakord në një bisedë telefonike për të vazhduar bashkëpunimin në tregun e naftës, sipas burimeve ruse.

“Gjatë bisedës u theksua rëndësia e koordinimit të mëtejshëm në kuadër të OPEC+”, tha Kremlini.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden u takua gjithashtu bin Salmanin vetëm këtë javë si pjesë e vizitës së tij në Lindjen e Mesme në një përpjekje për të bindur Arabinë Saudite të rriste prodhimin e naftës dhe për të ulur çmimet e naftës në tregun botëror.

Rezultatet e takimit të Biden me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i përjashtuar prej kohësh nga Uashingtoni për përfshirjen e tij të dyshuar në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoghi, u përshkruan si të dobëta. Arabia Saudite la të nënkuptohej se do të ishte e mundur vetëm një rritje e kufizuar e prodhimit.

Sipas burimeve ruse, Moska dhe Riadi janë të kënaqur me çmimin aktual të naftës.

“U përmend me kënaqësi se vendet pjesëmarrëse të formatit OPEC+ po zbatojnë vazhdimisht angazhimet që kanë marrë për të mbështetur ekuilibrin dhe stabilitetin e nevojshëm në tregjet botërore të energjisë”, thuhet në deklaratë. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSTAMBOLL – Marrëveshja për rifillimin e dërgesave të grurit nga Ukraina nënshkruhet nesër
Artikulli tjetërMiratimi i rezolutës, Balla: Beteja shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës