TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mbështet plotësisht Komuniten e Ri Politik, nismë kjo e qeverisë franceze.
“Mbështes plotësisht dhe ne jemi plotësisht përkrah idesë së komunitetit të ri politik sepse ndihmon pikërisht për të ngushtuar këtë hendek psikologjik midis nesh si europianë dhe europianëve që janë në Bashkimin Europian. Nuk ka pikë dyshimi se kjo nuk zëvendëson procesin tonë individual mbështetur në meritë drejt BE-së, por ka për qëllim të krijojë kushtet që ne të bëhemi bashkë kur vjen fjala për sfida të mëdha, të cilat nuk mund të ndahen midis Bashkimit Europian dhe kësaj pjese të Europës që është brenda organizmit të BE dhe që është Ballkani Perëndimor. Bashkimi Europian faktikisht është shprehja e parë gjeografike me kufij të brendshëm e të jashtëm dhe brenda kufijve të brendshëm jemi ne. Për të ardhur në secilin prej vendeve tona duhet të kaloni përmes Bashkimit Europian, tani si mund të mos jemi bashkë kur vjen fjala për kërcënimet e sigurisë, kur vjen fjala për të ndarë informacion inteligjence kundër terrorizmit, kur vjen fjala për ndryshimet e klimës, kur vjen fjala për kriza më të mëdha se ne, si pandemia, si lufta dhe kur vjen fjala, me duhet të them gjithashtu për rininë. Kjo është një platformë që do të krijojë kushtet që politikisht të jemi një dhe më pas kemi vende të ndryshme në këtë shtëpi të madhe”, u shpreh Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Holandës Mark Rutte.























