LUGANO, 4 korrik /ATSH-DPA/ – Qeveria ukrainase pritet të paraqesë për herë të parë përparësitë për rindërtimin e vendit pas konfliktit, kur përfaqësuesit e rreth 40 vendeve potenciale donatore do të takohen në qytetin zviceran të Luganos.
Në takim duhet të marrin pjesë edhe disa organizata ndërkombëtare dhe institucione financiare, që duhet të bien dakord për shpërndarjen e detyrave të ndryshme ndërmjet delegatëve.
Qindra miliarda euro do të nevojiten për të financuar rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të Ukrainës.
Në mesin e atyre që do të shkojnë në Lugano duhet të jenë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë në takim përmes lidhjes video nga Kievi.
“Ukraina është një vend i madh, shumë gjëra janë shkatërruar… dhe nuk mund të filloni të planifikoni dhe koordinoni rindërtimin në mënyrë të shpejtë”, deklaroi Markus Berndt, kreu i Departamentit të Punëve të Jashtme të Bankës Evropiane të Investimeve./ /os/























