TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor publikoi pullën “Retro” dedikuar aktit heroik të Ylli Bodinakut, i cili me kamionin Škoda 701 MT, të ngarkuar me gruan, dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dymuajshe, me shokë, miq, me plot 36 vetë, hyri në ambasadën gjermane.
Kjo pullë, është pjesë e serisë me 10 pulla me mjete historike nga Automotorizimi Shqiptar që del së shpejti në qarkullim, kuruar nga artisti Ervin Berxolli dhe miratuar e zyrtarizuar nga Posta Shqiptare.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja u shpreh në rrjetet sociale se 2 korrik 1990, dita kur në Tiranë u thye muri i regjimit.
“2 korrik 1990, dita kur në Tiranë u thye muri i regjimit, kur shkelëm tokën e lirë, si komb! Historia shkruhet nga njerëzit dhe përjetësohet nga kujtesa, që duhet mbajtur e gjallë! Me kënaqësi e krenari e festojmë datën e sotme me Pullën RETRO që i kemi dedikuar aktit heroik të Ylli Bodinakut, me Kamionin Škoda 701 MT, të ngarkuar me gruan, dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dy muajshe, me shokë, miq, me plot 36 vetë, fotografuar në momentin menjëherë pas hyrjes në Ambasadën Gjermane, duke i hapur kalimin qindra shqiptarëve që atë ditë guxuan dhe fituan LIRINË! Kjo pullë, është pjesë e serisë me 10 pulla me mjete historike nga Automotorizimi Shqiptar që del së shpejti në qarkullim, kuruar nga artisti Ervin Berxolli dhe miratuar e zyrtarizuar nga Posta Shqiptare”, deklaroi Gonxhja.
Më tej, ai publikoi pjesë nga kujtimet e Bodinakut, teksa apleon për të mos harruar.
“Nuk duhet të harrojmë. Në kujtimet e Ylli Bodinakut: “Atë mbrëmje, në Bon u raportua që në ambasadën gjermane ishin futur menjëherë 86 vetë. Punonjësit e ambasadës na mblodhën dhe na lexuan një faks që kishte dërguar Gensche-ri. Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë. Kështu thoshte fjalë për fjalë Genscher-i në faksin e tij,” sjell ai ndërmend në një intervistë për Deutsche Welle. Murit nuk i rashë aksidentalisht. As nuk më shtyu dikush. Ishte një urrejtje e brendshme. Në moshën 27 vjeçare u dënova me 10 vjet burg për politikë. Isha i vendosur t’i bija murit. E dija se ecja drejt vdekjes. Muri ishte i lartë dhe i trashë. Shanset ishin shumë të pakta për të shpëtuar””, citohet Bodinaku.
Për ta shenjuar këtë moment, si një lëvizje drejt lirisë së munguar, DPSHTRR e ka bërë pjesë të koleksionit të pullave RETRO, kamionin historik si simbol të rebelimit ndaj sistemit totalitar shumëvjeçar.












