Ballina Aktualitet

Miratohet pr/rezoluta për veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm gjatë vitit 2021.

Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës, projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2021.

Projekt-rezoluta e parë u paraqit nga deputeti Klevis Xhoxhi, i cili ndër të tjera paraqiti 19 rekomandime se ku duhet të përqendrohet puna e Prokurorisë së Përgjithshme përgjatë këtij viti.

Pas diskutimeve dhe sugjerimeve për përmirësimin e projektrezolutës lidhur me hetimet e nisura kryesisht, hartën gjyqësore, rritjen e transparencës dhe informimin publik, etj., komisioni e miratoi atë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

Më tej deputeti Pandeli Majko, në cilësinë e relatorit, paraqiti projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit 2021, për të cilën pati disa sugjerime për ti shtuar si rekomandime nga anëtarët e komisionit.

Pas diskutimeve u dakordësua që miratimi i projektrezolutës të vijojë në një nga mbledhjet e radhës së komisionit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMocioni i deputetëve të PD për mandatin, Këshilli vendos të thërrasë Xhaçkën
Artikulli tjetërParku fotovoltaik i Karavastasë, Balluku: 100 milionë euro investim për sigurinë energjetike