Ballina Flash

Grupi “The Kroks”, i universitetit të Harvardit koncert tek Reja

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Grupi “The Kroks” i Universitetit të Harvardit, interpretoi mbrëmë tek Reja, duke e argëtuar publikun me versionet e tyre “a capella” të këngëve të njohura klasike amerikane. Kori i studentëve i argëtoi të pranishmit me humorin dhe lëvizjet e tyre të kërcimit.

Zëvendësshefja e Marrëdhënieve me Publikun, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Amanda Roberson dhe nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi përshëndetën publikun dhe falënderuan grupin “Kroks” për vizitën e tyre të parë, në Shqipëri, në nder të 100-vjetorit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehet se grupi i djemve të Universitetit të Harvardit, po e shijon vizitën në Shqipëri.

Më herët ata kanë vizituar Universitetin e Arteve ku takuan korin e talentuar të studentëve. Grupet u argëtuan duke interpretuar për njëri-tjetrin dhe duke biseduar mbi përvojat e tyre si studentë-artistë, të cilët udhëtojnë nëpër botë.

Gjithashtu “Kroks” vizitoi një kamp veror i cili është pjesë i programit Access, një program bursash të vogla për gjuhën angleze për nxënësit e moshës nga 13 deri 15 vjeç.

Ata dhanë një koncert për grupin dhe mësuan mbi synimet dhe projektet e ardhshme të nxënësve, për të cilat ata po punojnë në kampin veror.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Inflacioni i eurozonës arrin në 8,6 për qind, Estonia mban rekordin me 22 për qind
Artikulli tjetërShqipëri-Kosovë, hyn në fuqi marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore