TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Sekretarja për Organizatat Partnere në PD, Megi Balliu u shpreh sot në një deklaratë nga selia e PD se, “Barometri i Ballkanit konfirmon alarmin e Partisë Demokratike, 42 përqind e shqiptarëve duan të emigrojnë”.
“Shifra alarmante vjen nga Barometri i Ballkanit, një sondazh vjetor i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Vendimi për të ikur kuptohet më qartë, po të vëresh një tjetër shifër të sondazhit”, tha Balliu
“88 përqind e shqiptarëve mendojnë se hendeku i pasurisë është thelluar. Pasi kanë humbur ‘luftën e klasave’, shqiptarët nuk shohin alternativë veç emigrimit”, theksoi ajo.
“Partia Demokratike dëshiron të theksojë edhe njëherë rrezikun e shpopullimit të vendit. Të gjithë treguesit, të gjitha sondazhet, e dëshmojnë këtë. Përsëritja e faktit dhe mesazhit nga opozita nuk bëhet për qëllime të tjera, por veç një arsye: një Shqipëri e boshatisur përbën një emergjencë kombëtare”, u shpreh Balliu.
“Kjo kambanë bie për ata që kanë veshë! Me sa duket, jo për qeverinë, që bën veshin e shurdhër. Ata shohin oborrin e tyre dhe thonë: qentë le të lehin, karvani të bëjë përpara! Ne shohim karvanin e njerëzve që ikin dhe një Shqipëri në rrezik”, theksoi Balliu.























