TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në promovimin e librit “Mos harro kurrë” se Tirana sot është kthyer në një Beograd të vogël.
“Eshtë situatë e njëjtë si në vitin 1944”, tha Berisha. Ai u shpreh se “jemi kthyer po aq vasal ndaj Serbisë sa ishim në ’45”.
“Ka edhe një faktor në këtë skenar dhe ai është Soros”, tha Berisha i cili sipas tij, “është sponsor i të gjitha projekteve antishqiptare”.
Berisha deklaroi se “një hordhi shqiptarësh po mbështesin projektin e “Ballkanit të Hapur” që asgjëson Kosovën”.
“Ne mblidhemi sot me një ndjenjë turpi të madh. Tirana është sot në raport me atë çka është më anti shqiptare, është një Beograd i vogël. Shumë nga ju keni lexuar histori. Tirana e sotme është Tirana e 1945-s. Kurrë ndonjëherë atë që kanë bërë aradhet partizane shqiptarë në Kosovë nuk do të mund ta bënin aradhet partizane serbo-malazeze pa veprën anti kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Jugosllavia nuk ekzistonte, ekzistonte në letër. Ato gjurmë të njësive partizane të Kosovës nuk jetonin në Kosovë, por Kosova kishte një lëvizje nacionaliste”, tha Berisha.
“Divizionet shqiptare shkuan aty dhe u pritën me flamurin e bashkimit kombëtar, ndërsa ata shkuan me flamurin e bashkimit të vëllazërimit me serbët. Ajo kulmoi me një gjenocide të tmerrshëm, masakrën e Tivarit. U vranë me mijëra në Mal të Zi, por qindra syresh u vranë edhe nga Kukësi deri në Shkodër, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë shqiptarë”, u shpreh Berisha.
“Sot jemi në të njëjtën situatë. Beogradi qeveriset nga një udhëheqës doktrinar në gjenocid. Vuçiç ka thënë në parlament: “për një serb, do vrasim 100 myslimanë”. Tani në vend që Shqipëria të përdorë të gjithë forcën diplomatike të saj për ta dërguar në Hagë Vuçiçin, shndërrohet në avokat të tij në çdo takim, përfshi samitin e NATO-s”, theksoi Berisha.
“Në qoftë se ka një gjë që duhet të ndajë njeriun e qytetëruar nga njeriu primitive është qëndrimi ndaj gjenocidit. Çfarë ndryshimi ka udhëheqësi ynë në Tiranë me udhëheqësin e Beogradit? A nuk tha Ana Brnabic të njëjtat fjalë që tha Rama për masakrat në Kosovë? Në qoftë se në 1945 projekti ishte që Kosova është më e sigurt me Jugosllavinë, por edhe ne do shkojmë drejt saj me Titon sekretar të parë, çfarë po ndodh tani? Ballkani i Hapur është asgjësimi i shtetit të Kosovës”, shtoi Berisha.
/j.p/r.e/






















