TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Me nismën e deputetëve të grupit parlamentar Demokraci dhe Integrim, PDIU, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, Shoqata patriotike “Çamëria”, si edhe deputetët Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Nustret Avdulla, organizuan sot në Kuvendin e Shqipërisë një seancë përkujtimore për Çamërinë.
Kjo seancë u drejtua dhe moderua nga deputetja Mesila Doda, e cila falënderoi të pranishmit dhe vlerësoi kontributin e tyre për çështjen e Çamërisë.
Ditën e sotme, 68-vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, i njohur nga parlamenti në vitin 1994 me datën 27 qershor si dita e gjenocidit, solli në sallën e Kuvendit patriotë çamë, aktivistë të shoqërisë civile, ambasadorë e studiues, të cilët vunë theksin në zgjidhjen e çështjes çame.
Gjatë fjalës së tij kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, solli në vëmendje betejat e PDIU-së, duke nisur nga ndërtimi i varrezave Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, ku prehen 2900 shqiptarë të Çamërisë, por edhe miratimin e Rezolutës nga Kuvendi për zgjidhjen e çështjes Çame.
“Falë PDIU, sot ne kemi varrezat monumentale të Kllogjerit, vepër unike në llojin e saj që përmbush kredon tonë të respektit të të rënëve, ku dhimbja jonë u shndërrua në një memorial të jashtëzakonshëm kujtese. E kjo është vepër e PDIU-së! Falë PDIU, çështja Çame hyri për herë të parë në deklarimet e Brukselit e në axhendën e bisedimeve mes dy qeverive, megjithëse njëra palë thotë që ajo nuk ekziston. Përpjekja jonë e vazhdueshme, prania jonë sot në këtë sallë, i hap sytë çdo të verbri që deklaron se nuk na njeh, e ne nuk ekzistojmë”, theksoi Idrizi.
Në përfundim të fjalës së tij, ai u kërkoi të pranishmëve si përfaqësues të Çamërisë e miq të Çamërisë, të ngrinin kartonat jeshilë për të punuar me Çamërinë në zemër e për Çamërinë në një votim historik si akt simbolik, ku u votua Pro.
Të pranishmit dëgjuan dëshmitë mbi gjenocidin e ndodhur në vitin 1944. Ndërsa studiuesit, historianët dhe përfaqësuesit e tjerë diskutuan mbi zgjidhjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat i shohin si tipare thelbësore të kauzës së tyre.
Në fund të seancës, Mesila Doda falenderoi edhe një herë të gjithë të pranishmit për mbështetjen e tyre.
/r.e/












